Kriza në Lindjen e Mesme rriti çmimet, Rama: Shteti do ndërhyjë në tregun e karburanteve
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndërhyrje të shtetit në tregun e karburanteve për të zbutur efektet e rritjes së çmimeve të naftës, të lidhura me krizën në Lindjen e Mesme.
Në një deklaratë për mediat, Rama tha se qeveria synon të krijojë një faktor publik në tregun e naftës, me qëllim lehtësimin e marrëveshjeve me kompanitë shpërndarëse dhe stabilizimin e çmimeve për qytetarët.
“Forca e shtetit do të hyjë në tregun e naftës”
Kreu i qeverisë theksoi se rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve po ndjehet në të gjithë botën dhe se Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo situatë.
Sipas tij, krijimi i një faktori shtetëror në treg do të ndihmojë në krijimin e marrëveshjeve më të qëndrueshme me kompanitë që shpërndajnë karburant.
“Një nga objektivat tona është krijimi i një faktori shtetëror në tregun e naftës, një force publike për të krijuar kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët. Duke vënë në dispozicion kapacitetin dhe garancinë e shtetit do të bëhet më e lehtë arritja e marrëveshjeve me kompanitë shpërndarëse për qëndrueshmëri afatgjatë”, u shpreh Rama.
Ai e krahasoi këtë qasje me modelin e ndjekur në sektorin e aviacionit, duke theksuar se ndryshimet në menaxhimin e aeroportit të Tiranës kanë rritur konkurrencën dhe flukset e udhëtarëve në rajon.
Rezolutë për Iranin në Kuvend
Kryeministri njoftoi gjithashtu se javën e ardhshme Kuvendi i Shqipërisë pritet të shqyrtojë një rezolutë që shpall Republikën Islamike të Iranit shtet sponsor të terrorizmit.
Sipas tij, rezoluta do të parashikojë gjithashtu shpalljen e Gardës Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahut si organizata terroriste.
“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallet organizatë terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, deklaroi Rama.